Partia Socialiste i ka dhënë PD-së atë që e cilëson si mundësinë e fundit për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale.
Në Konferencën e Kryetarëve, Balla u tha deputetëve të PD-së që nëse nuk do të paraqiten në mbledhjen e të hënës, atëherë ndryshimet në formulën e përbërjes së Territoriales do të votohen në seancën e të martës.
Mazhoranca argumenton se bojkoti i deritanishëm i opozitës nuk mund të përdoret si justifikim për bllokimin e reformës, ndërsa thekson se procesi duhet të ecë përpara në respekt të afateve dhe përgjegjësive institucionale.
Ndërkohë Gazment Bardhi në Konferencën e Kryetarëve deklaroi se ata nuk kanë bojkotuar mbledhjen.
Ai u shpreh se opozita gjithmonë ka bërë thirrje për të gjetur mekanizma dialoguese, duke ndjekur vlerat e rregullat e BE.
Sipas tij dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e Komisionit, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme.
Më herët mazhoranca propozoi që të marrë shumicën e numrit të anëtarëve në Komisionin e Reformës Territoriale, duke larguar bashkëkryetarin e PD-së, Luçiano Boçi. Nëse miratohet kjo gjë, ai do të mbajë rolin e nënkryetarit të “Territoriales” dhe puna do drejtohet nga Arbjan Mazniku.
PS thotë që në këtë komision duhet të jenë 17 anëtarë, 9 të PS-së, 6 demokratë dhe dy anëtarë të forcave të tjera opozitare.
Mbledhja e së hënës pritet të jetë vendimtare për fatin e reformës territoriale dhe për raportin politik mes mazhorancës dhe opozitës në këtë proces.