Aktualitet Politikë

Sot ka Kuvend, pritet ngritja e komisioneve të Reformës Zgjedhore dhe Territoriale!

Sot Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në orën 10:00 për seancën plenare, ku në rend dite janë raportimet e disa institucioneve për vitin 2024. Por në fokus të diskutimeve do të jenë komisionet e Posaçme, për Reformën Zgjedhore dhe Territorialen, ndërsa pritet të vendoset edhe për ngritjen e tyre.

Priten diskutime edhe mbi projektligjin për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Sa i përket raportimeve të disa institucioneve, parashikohet i veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin e kaluar, i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe raportimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Ndërkaq, në orën 09:30, mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar vendimin e KQZ-së për t’i dhënë mandatin e deputetit Besnik Brahimit e Shkurt Laskut të PSD-së.  Mandatet iu kalojnë atyre si dy më të votuarit pasi Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë.