Health & Beauty

Testi gjenomik identifikon pacientet me kancer të gjirit që mund të shmangin kimioterapinë!

Një test gjenomik i disponueshëm në treg mund të ndihmojë mijëra paciente me kancer të gjirit të shmangin kimioterapinë pa kompromentuar efektivitetin e trajtimit, sipas rezultateve të një studimi të ri që do të prezantohet në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Chicago. Studiuesit raportuan se testi Prosigna, i zhvilluar nga Veracyte, mund të identifikojë pacientet me kancer të hershëm të gjirit me rrezik të lartë, të cilat mund të trajtohen në mënyrë të sigurt pa kimioterapi.

Studimi i rastësishëm përfshiu më shumë se 4,400 paciente me forma agresive të kancerit të gjirit ose me rrezik të lartë për përhapje dhe rikthim të sëmundjes. Rezultatet treguan se më shumë se dy të tretat e pacienteve, trajtimi i të cilave u orientua nga testi Prosigna, arritën të shmangnin kimioterapinë. Pas pesë vitesh ndjekjeje, shkalla e mbijetesës pa rikthim të kancerit ishte 93.7 për qind në grupin që përdori testin gjenomik, krahasuar me 94.9 për qind te pacientet që morën kimioterapi sipas trajtimit standard. Diferenca u konsiderua statistikisht e papërfillshme.

Testi analizon aktivitetin e 50 gjeneve specifike në indin tumoral për të përcaktuar nënllojin molekular të kancerit dhe për të llogaritur rrezikun e rikthimit të sëmundjes gjatë 10 viteve të ardhshme. Këto informacione i ndihmojnë onkologët të vendosin nëse kimioterapia është e nevojshme apo jo. Ekspertët theksojnë se shmangia e kimioterapisë mund të ketë përfitime të mëdha për pacientet. Përveç lodhjes dhe efekteve të tjera fizike, trajtimi mund të shkaktojë infertilitet, probleme njohëse, menopauzë të hershme dhe dëmtime nervore afatgjata.