“Me male mahnitës, plazhe idilikë, ushqim të mrekullueshëm e fshatra mesjetarë pa turma vizitorësh, ky vend i vogël ballkanik meriton të jetë në listën tuaj të udhëtimeve”, shkruan Robert P.Walze në një artikull kushtuar Shqipërisë e të botuar në të përditshmen amerikane “The Wall Street Journal”.
I apasionuar pas aventurës së çiklizmit, një herë në vit, bashkë me një mikun tim planifikojmë një udhëtim me biçikletë. Këtë vit, ne patëm mundësi të eksploronim një cep të ri të globit. Të përkushtuar ndaj këtij aktiviteti, ne kemi arritur të eksplorojmë disa nga të destinacionet e njohura si Franca dhe Spanja e disa më pak të njohura, si Etiopia. Por kur miku im sugjeroi destinacionin e këtij viti, Shqipërinë, unë pata dyshime.
Pas hulumtimit të Shqipërisë, zbulova se ashtu si Italia dhe Franca, ky vend i vogël mesdhetar ka male alpine të larta, një rivierë me ujëra të pastra bruz, një kulturë të pasur ushqimore, histori antike e fshatra mesjetarë. Nuk është për t’u habitur që ish-provinca osmane po bën bujë në mesin e vizitorëve të zgjuar, fillimisht europianëve e tani, një numri gjithnjë e më të madh amerikanësh.
Shqipëria u bashkua me NATO-n në vitin 2009 e që atëherë është bërë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Një aeroport i ri ndërkombëtar dhe disa hotele moderne do të hapen vitin e ardhshëm e një resort luksoz në ishull po planifikohet nga dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner.
Por, tre dekada pas rënies së diktaturës represive komuniste, ky vend ballkanik ende ndihet i pazbuluar. Kur unë dhe miku im mbërritëm në kryeqytet, Tiranë, në fund të shtatorit, ajri alpin ende ishte i ngrohtë.
Për të menaxhuar udhëtimin tonë, ne punësuam një udhërrëfyes lokal çiklizmi, një emigrant amerikan me ngjyrë, i cili, në përpjekje për t’i shpëtuar politikës dhe racizmit amerikan ishte zhvendosur në Shqipëri si një nomad dixhital, tre vjet më parë.
Gjatë një rrugëtimi 5-ditor nëpër qytetet bregdetare të Vlorës, Himarës, Sarandës dhe Ksamilit, si dhe Qytetin e Gurtë të Gjirokastrës, ne pedaluam një rrugë malore, gjarpërore të rrethuar nga pisha e bredha. Në pika të ndryshme, pamjet mahnitëse të deteve Jon e Adriatik na kujtuan Bregun e Paqësorit të SHBA-ve e Amalfin e Italisë.
Rrugës hëngrëm byrek, një pastë e mbushur me djathë e ngjashme me spanakopitën e Greqisë. Gjithashtu, në dietën tonë ishin peshqit, makaronat e picat, të gjitha reflektime të lidhjeve të ngushta kulturore të Shqipërisë me Italinë, fqinjen e saj përtej Adriatikut.
Në të gjithë vendin, kostoja për një darkë të bollshme me verë shkonte më pak se 20 dollarë dhe akomodimi në një hotel me katër yje, nën 100 dollarë. Në një ditë me shi, vizituam kalanë e rëndësishme strategjike të Porto Palermos, e ndërtuar nga sundimtari legjendar shqiptar i shekullit XIX, Ali Pasha, në një gji të bukur për të forcuar kontrollin e tij mbi rajonin.
Në qytetin bregdetar të Vlorës, ku Shqipëria shpalli pavarësinë më 1912-ën, ishim të vetmit vizitorë të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në një godinë të vogël ku sundonte qeveria e parë.
Të rrethuar nga imazhet e etërve themelues të Shqipërisë me mustaqe dhe disa me kapele me majë të sheshtë, një guidë vendase na njohu me historinë e zonës, të gjitha të përfshira në tarifën e hyrjes prej 3 dollarësh.
Ne u ndeshëm me një turmë vizitorësh në Gjirokastër, një vend malor i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbuluar në mënyrë dramatike nga një kala e epokës bizantine. Vizitorët hynë në zonën me kalldrëm 1000 vjeçar, me një bukuri të botës së vjetër, të ngjashme me qytete si Siena apo Bruges. Qendra e saj është e ndarë, jo nga një katedrale por nga një minare e lartë e Xhamisë së Madhe të qytetit, e vendosur mes një pazari shumëngjyrësh. Kalaja e famshme e Gjirokastrës ishte më e qetë, ndoshta pasi kureshtarët duhet të ngjiteshin më këmbë për të arritur majën e saj. Por udhëtimi ia vlejti, veçanërisht për muzeun magjepsës që rrëfen të kaluarën shumëngjyrëshe ushtarake të Shqipërisë. Artifaktet brenda përfshijnë një luftëtar të Forcave Ajrore të SHBA-ve të epokës 1950, që Shqipëria thotë se e kapi gjatë një inkursioni.
Në Tiranë, u takuam me Harel Kopelman, banor izraelito-amerikan, i cili bashkëthemeloi një qendër kulturore të quajtur “Nata Shqiptare”.
“Amerika është e njohur në Shqipëri, pjesërisht për shkak të avokimit të presidentit Wilson për pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe ndërhyrjes së presidentit Clinton në luftën në Kosovë, e cila është e populluar nga shqiptarë etnikë”, tha ai.
“Shqipëria është si shteti i 51-të. Njerëzit këtu i duan amerikanët. Duke folur për veten time, tani mund të them se ndjenja është krejtësisht e ndërsjellë”.
Mbërritja:
Megjithëse, aktualisht nuk ka fluturime amerikane pa ndalesë për në Shqipëri, Tirana mund të arrihet përmes shumë qyteteve të njohura europiane, duke përfshirë Londrën, Parisin e Romën.
Po shkoni në Rivierën e Shqipërisë? Rezervoni një fluturim për në Korfuz, Greqi dhe merrni një traget për një orë për në Sarandë.