Nga Gjermania skeptike për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, vijnë thirrje në mbështetje të vendit tonë, më pak se një muaj nga vendimi për dhënien ose jo të dritës jeshile. Këshilli Gjerman për Politikat e Jashtme, strukturë e pavarur, me shumë ndikim në jetën politike gjermane vlerëson se “Pavarësisht sfidave, asnjë shtet në rajon, nuk ka bërë sa Shqipëria për të merituar hapjen e negociatave”. Në një raport të Këshillit, veçohet përparimi sa i përket Reformës në Drejtësi, ndërsa argumentohet se “JO”-ja e Berlinit jo vetëm do të destabilizonte Shqipërinë, por pritet të ketë ndikim negativ në mbarë rajonin, çka bie ndesh me interesat e sigurisë së Gjermanisë. Vlerësime merr dhe vokacioni perëndimor i vendit tonë, që sipas këtij Këshilli, duhet të shpërblehet, për të krijuar vijën ndarëse nga vendet e Ballkanit që flirtojnë me Rusinë. Gjithashtu, nuk kursehen kritikat për bojkotet parlamentare dhe protestat e fundit.