Showbiz

“Askush nuk e dinte se do të vinte” Kate Middleton prek me mesazhin e saj rreth kancerit!

Kate Middleton ka surprizuar stafin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS), duke iu bashkuar papritur Princit William në një vizitë të paparalajmëruar në Spitalin Charing Cross në Londër.

Ajo që ishte planifikuar si një angazhim solo i Princit të Uellsit, u shndërrua në një moment të veçantë vlerësimi dhe mbështetjeje të përbashkët për mjekët, infermierët dhe vullnetarët.

Vizita vjen në një kohë kur spitalet britanike po përballen me presione të forta dimërore dhe shënon një hap domethënës në rikthimin gradual të Kate në detyrat publike. Catherine i është bashkuar William në momentet e fundit, vetëm një ditë para se të festojë 44-vjetorin e lindjes.

Çifti mbërriti në mënyrë surprizë në mensën e spitalit, ku ishte organizuar një takim i thjeshtë për çaj me stafin dhe vullnetarët. Reagimi ishte i menjëhershëm: habi, emocione dhe buzëqeshje, ndërsa Kate u shfaq e veshur me një kostum elegant ngjyrë burgundy.

Gjatë takimeve, Princesha e Uellsit foli hapur për përvojën e pacientëve në spitale, duke e përshkruar trajtimin si “një përvojë mjaft të frikshme” dhe duke theksuar rëndësinë e mbështetjes njerëzore.

Nga këndvështrimi i një pacienti, janë shumë të rëndësishme gjëra që nuk janë në përshkrimin e punës, si mirësia dhe dhembshuria

-u shpreh Kate, duke shtuar se puna në ekip është thelbësore për t’i ndihmuar pacientët të ndihen më të sigurt.

Ajo dhe Princi William vizituan gjithashtu ambiente të financuara nga bamirësi, përfshirë hapësira për neuro-rehabilitim, palestër terapeutike dhe një dhomë arti, ndërsa atmosfera u shoqërua edhe nga tingujt e një harpiste.

Në një bisedë me një paciente, Kate nënvizoi rëndësinë e kujdesit holistik krahas trajtimit mjekësor:

Ke nevojë për mbështetje mjekësore, por edhe për një mbështetje më të gjerë që të ndihmon t’i kalosh ditët më lehtë

Duke reflektuar mbi përvojën e saj personale, ajo shtoi se kreativiteti dhe natyra kanë luajtur një rol të madh në rrugëtimin e saj të rimëkëmbjes, duke e cilësuar “fantastike” ekzistencën e këtyre hapësirave për pacientët.

Vizita u mbyll me një takim mes Princit dhe Princeshës së Uellsit me drejtues të NHS-së dhe organizatave bamirëse, ku u diskutua rëndësia e filantropisë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.