Familja e Dolly Parton është përfshirë sërish nga zia. Vëllai i madh i ikonës së muzikës country, Coy “Denver” Parton, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.
Sipas raportimeve, Denver Parton ndërroi jetë më 23 korrik në Sevierville, Tennessee, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.
Ndryshe nga motra e tij e famshme, Denver kishte zgjedhur të jetonte larg vëmendjes së publikut. Ai punoi për shumë vite si operator vinçi dhe fermer, ndërsa njihej edhe si një gjuetar i apasionuar.
Coy “Denver” Parton ishte një nga 12 fëmijët e familjes Parton dhe është vëllai i pestë i Dolly-t që ndahet nga jeta.
Pas vetes ai la dy vajza, një nip dhe shtatë motra, mes tyre edhe këngëtaren legjendare Dolly Parton.
Kjo humbje vjen në një periudhë veçanërisht të vështirë për artisten 80-vjeçare. Vetëm vitin e kaluar ajo i dha lamtumirën bashkëshortit të saj, Carl Dean, me të cilin kishte ndarë jetën për gjashtë dekada.
Përveç dhimbjes personale, Dolly Parton është përballur së fundmi edhe me probleme shëndetësore, të cilat e detyruan të shtyjë koncertet e planifikuara në Las Vegas.
Megjithatë, këngëtarja ka siguruar fansat se po i përgjigjet mirë trajtimeve dhe se synon të rikthehet në skenë sapo të jetë plotësisht e rikuperuar.
Humbja e Coy “Denver” Parton shënon një tjetër moment të dhimbshëm për familjen Parton, ndërsa fansa të shumtë kanë shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre për Dolly-n në këtë periudhë të vështirë.