Gossip Showbiz

“Ndihem sikur sapo kam filluar…” Dolly Parton flet hapur për shëndetin ndërsa mbush 80 vjeç!

Dolly Parton ka vendosur të shuajë çdo dyshim për gjendjen e saj shëndetësore, ndërsa përgatitet të hyjë në dekadën e nëntë të jetës. Legjenda e muzikës country, e cila mbushi 80 vjeç të hënën, këmbëngul se nuk ka asnjë plan për të ngadalësuar ritmin dhe se ndihet më energjike se kurrë.

Në një intervistë të fundit për People, fituesja e shumëfishtë e çmimeve Grammy hodhi poshtë shqetësimet që lidhen me moshën, duke theksuar se ajo e sheh këtë moment si një kapitull të ri, jo si fundin e rrugës.

Njerëzit thonë: ‘Po mbush 80 vjeç.’ Epo, po çfarë? Shikoni gjithçka që kam bërë në këto 80 vite

-u shpreh Parton.

Ndjehem sikur sapo kam filluar.

Artistja e hitit “9 to 5” pranoi se shëndeti mbetet faktori më i rëndësishëm për të vazhduar aktivitetin e saj intensiv, por siguroi fansat se, për momentin, gjithçka është në rregull.

E di që mund të tingëllojë marrëzi, por për sa kohë shëndeti nuk më lë, dhe për momentin duket se jam shumë mirë

-tha ajo me optimizëm.

Deklaratat e saj vijnë pas spekulimeve të shumta që qarkulluan së fundmi për gjendjen e saj shëndetësore, veçanërisht pasi u konfirmua se Parton nuk do të merrte pjesë në koncertin e 80-vjetorit të Grand Ole Opry, një mungesë që nxiti shqetësim te fansat.

Për muaj me radhë, këngëtarja ka qenë në qendër të thashethemeve alarmuese, sidomos pasi motra e saj, Freida, kërkoi publikisht lutje në tetor, duke zbuluar se Dolly po përballej me një sëmundje, detajet e së cilës nuk u bënë publike.

Megjithatë, Parton reagoi shpejt për të qetësuar admiruesit e saj, duke publikuar një video ku shfaqej plot energji dhe humor karakteristik, teksa deklaronte:

Nuk kam vdekur ende!

Me këtë qëndrim pozitiv dhe forcë shpirtërore, Dolly Parton vazhdon të mbetet një ikonë jo vetëm e muzikës country, por edhe e frymëzimit, duke treguar se mosha është thjesht një numër kur pasioni për jetën dhe krijimtarinë mbetet i gjallë.