Rajoni

Tjetër përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës!

Për herë të njëzet e pestë, deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do t’i drejtohen vendeve të tyre në një tjetër përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Seanca e konstituimit ka nisur më 15 prill dhe deri tani të gjitha tentativat kanë dështuar.

Vazhdimi i radhës sot pritet të mbahet në orën 10:30 minuta. Vazhdimet e kaluara kanë qenë të shkurtra, për shkak të mos votimit të komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut. Atë komision po e kërkon Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Guxo e Alternativa, por që nuk po votohet nga partitë e tjera parlamentare.

Këto të fundit po këmbëngulin që të ndërrohet emri i kandidates për drejtimin e Kuvendit, duke thënë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun. Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tashmë e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim mënyrën e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të parlamentit.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, më 15 maj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituimin e Kuvendit. Po ashtu, thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe faktori ndërkombëtar.