Sport

Tjetër skandal në La Liga! Talenti që refuzoi Barcelonën dhe vëllai i tij nën akuzë për mashtrim, vjen reagimi i tyre: Po na shantazhojnë

Vëllezërit e njohur të futbollit spanjoll, Iñaki dhe Nico Williams, kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët lidhur me një padi të ngritur kundër tyre në gjykatën e Aoiz (Navarra), në lidhje me një mashtrim të dyshuar që ka të bëjë me blerjen e një makine luksoze.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, dy futbollistët kanë konfirmuar ekzistencën e një ankese ndaj tyre, por njëkohësisht mohojnë me forcë çdo shkelje.

Pasi mësuam nëpërmjet medias për ekzistencën e mundshme të një ankese kundër nesh dhe pasi kemi marrë informacion, mund të konfirmojmë se është ngritur një ankesë bazuar në fakte që nuk korrespondojnë me të vërtetën.

Ata e konsiderojnë këtë padi si një tentativë për të dëmtuar figurën e tyre publike dhe profesionale. “Është e qartë se qëllimi themelor i kësaj ankese të pabazuar është të minojë imazhin tonë personal dhe profesional, një përpjekje për të na shantazhuar, duke u përpjekur të na detyrojë të bëjmë një pagesë të papërshtatshme”, theksojnë vëllezërit Williams.

Dy lojtarët e Athletic Bilbaos shprehën gjithashtu besim të plotë në drejtësinë spanjolle dhe njoftuan se do të bashkëpunojnë plotësisht për zbardhjen e kësaj çështjeje. “Nuk ka bazë faktike ose ligjore për të mbështetur akuzën për sjellje kriminale. Ne i besojmë plotësisht sistemit gjyqësor spanjoll dhe do të bashkëpunojmë në mënyrë aktive në sqarimin e fakteve”, përfundon deklarata e tyre.