Të paktën nëntë persona janë vrarë në një sulm izraelit në jug të Gazës, siç deklaroi sot stafi i spitalit në territorin e shkatërruar nga lufta. Punonjësit në Spitalin Nasser në qytetin e Khan Younis-it thanë se në mesin e viktimave ishin gra dhe fëmijë pasi një ndërtesë ku strehoheshin njerëz të zhvendosur ishte goditur. Ushtria izraelite deklaroi se po hetonte raportimet.
Një video që qarkulloi në mediat palestineze tregonte fëmijë dhe trupa të plagosur që dërgoheshin në spital pas sulmit. Pamjet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi po ashtu viktima të tjera pas sulmeve të tjera izraelite në të gjithë Gazën. Lufta e Gazës u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit të udhëhequr nga grupi militant palestinez Hamas, në të cilin u vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe më shumë se 250 izraelitë u morën peng.
Që atëherë, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi, rreth 51 mijë vetë janë vrarë në Gazë. Një numër i panjohur i të vrarëve janë luftëtarë të armatosur, si dhe ka shumë gra e fëmijë.