Ushtria izraelite njoftoi se kreu një sulm ajror kundër militantëve që po vendosnin një mjet shpërthyes në veri të Gazës.
Këtë mëngjes, disa terroristë u identifikuan teksa vepronin në afërsi të trupave të IDF-së dhe u përpoqën të vendosnin një mjet shpërthyes në tokë, në veri të Gazës, siç njoftoi ushtria në një deklaratë, duke shtuar se një avion luftarak izraelit goditi terroristët.
Në Lindjen e Mesme, lufta mes Izraelit dhe Hamasit, e cila përfshin Libanin, Sirinë e Iranin ka arritur në ditën e 520-të. Në Doha të Katarit, nesër fillojnë negociatat për fazën e dytë të armëpushimit. Izraeli dërgon delegacionin e tij. Hamasi në vend të kësaj thotë se është gati të lirojë më shumë pengje të gjallë në këmbim të dy muajve të tjerë armëpushim. Ndërkohë, Italia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe promovojnë planin arab për Gazën, duke e quajtur “realist” dhe “të vlefshëm” për rindërtimin e Rripit të Gazës.
Ndërkohë, sa i përket Sirisë, ky vend po përjeton dhunën më të madhe që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad/it dhjetorin e kaluar, aleatit të Iranit dhe Rusisë, familja e të cilit sundoi për 50 vjet. Luftimet mes besnikëve të Assad-it dhe forcave të qeverisë që drejtohet nga lideri rebel i shndërruar në president të përkohshëm Ahmed al-Sharra, shpërthyen para tre ditëve në provincën bregdetare Latakia.
Analistët thonë se këto luftime janë duke nxjerrë në pah vështirësitë e Sharaas për të mbajtur rend dhe rregull në Sirinë e pas Assad-it, çka vlerësohet se po kënaq vendet si Irani, Izraeli e madje edhe ekstremistët e Shtetit Islamik. Në Homs, Latakia e Tartus u vendos orë policore, për shkak të luftimeve të vazhdueshme dhe guvernatori i Latakias njoftoi se energjia elektrike u ndërpre plotësisht.
Presidenti i ri, al-Sharra është zotuar që të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë. Nga ana tjetër, më herët u mësua se Irani ka refuzuar bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA.