Pas më shumë se dy dekadash heshtje publike në lidhje me ish-bashkëshorten Nicole Kidman, aktori Tom Cruise ka bërë një koment të rrallë dhe vlerësues për të, duke përmendur talentin e saj si aktore gjatë një interviste të fundit.
Gjatë një bisede për revistën Sight and Sound të Institutit Britanik të Filmit, Cruise foli për eksperiencën në xhirimet e filmit “Eyes Wide Shut” (1999) të regjisorit Stanley Kubrick. Ai zbuloi se kishte sugjeruar vetë Kidman për rolin e Alice, bashkëshortes së personazhit të tij në film.
“Unë i propozova Nicole të luante atë rol,” tha ai. “Sepse, padyshim, ajo është një aktore e jashtëzakonshme.”
Ky është komenti i parë publik i Cruise për Kidman që nga viti 2002, kur u shpreh për revistën Vanity Fair rreth ndarjes së tyre. Në atë kohë, aktori tha
“Ajo e di pse, dhe unë e di pse. Ajo është nëna e fëmijëve të mi dhe i uroj gjithë të mirat.” Cruise dhe Kidman kanë adoptuar dy fëmijë gjatë martesës së tyre 11-vjeçare: Bellën dhe Connor.
Kidman, e cila më vonë fitoi një çmim Oscar për filmin The Hours në vitin 2003, nuk është përmendur shpesh nga Cruise në intervista ndër vite. Aktori, tani 63 vjeç, u shpreh gjithashtu në intervistën e vjetër se “gjërat ndodhin në jetë, dhe në një moment duhet të përballesh me realitetin.”
Divorci i tyre u finalizua në vitin 2001, me një deklaratë të përbashkët që përmendte angazhimet profesionale si shkakun kryesor të ndarjes. Që prej asaj kohe, Cruise është përfolur më shumë për jetën e tij personale dhe marrëdhënien me vajzën e tij me Katie Holmes, Suri.
Ky koment i fundit për Kidman duket se shënon një moment reflektimi dhe vlerësimi nga aktori për të kaluarën e tij me aktoren australiane.