Aktualitet

Trafik droge e grup kriminal, Moisi Habilaj (në arrati) dhe Nezar Seiti dënohen me 18 vite burg!

Edhe pse vijon të jetë në arrati, Moisi Habilaj është dënuar në mungesë me 10 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për dy akuza për trafik droge nga Shqipëria në Itali dhe një akuzë për grup të strukturuar kriminal.

Për dy akuzat e para u dënua me nga 12 vite burg, ndërsa për të tretën me 4 vite. Në total, Habilaj u dënua me 15 vite burg, por në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 10 vite.

Gjykata vendosi që ai ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë në momentin që do të arrestohet, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Fajtor u shpall edhe Nezar Seiti, i cili u dënua me 12 vjet burgim, por për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 8 vite burg.

Gjykata gjithashtu shpalli të pafajshëm dy të pandehur të tjerë në këtë çështje, Fatmir Minaj dhe Maridian Sulajn.

Habilaj u arrestua në vitin 2017 nga policia italiane së bashku me 11 persona të tjerë, të cilët kryenin transportin e drogës nga Shqipëria në Siçili.

Moisi Habilaj, është në arrati, ndërsa është i dënuar edhe në Itali me 15 vite e 5 muaj burg, vendim i lënë në fuqi edhe nga Apeli atje, por ky vendim nuk u ekzekutua, pasi ai u arratis nga banesa ku qëndronte në Katania me masë sigurie nga banesa e një familjari të tij.

Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj akuzohet se ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane të akuzuar për trafikimin e 4 tonë kanabis në vite nga Shqipëria në Itali, me një vlerë rreth 300 milionë euro.

Bisedat e përgjuara dhe të bëra publike nga Prokuroria e Katanias, treguan se trafikantet e drogës kalonin kanabis dhe armë në anën tjetër të kufirit.

Bashkë me ta u dënuan edhe disa zyrtarë të lartë të policisë të cilët gjykata i cilësoi si bashkëpunëtorë dhe pjesë të grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë hetimeve dhe përgjimeve, u evidentua edhe emri i Saimir Tahirit, por ish-ministri i Brendshëm u dënua vetëm për shpërdorim detyre.