Aktualitet

I dënuar në Itali për trafik droge, arrestohet në Durrës 43 vjeçari në kërkim!

Në kërkim ndërkombëtar për trafik narkotikësh, një 43-vjeçar u arrestua në Durrës. Në pranga ra Rexhep Muka, i njohur edhe si Kreshnik Muka. Gjykata e Apelit në Cagliari të Italisë e ka dënuar me 12 vite burg e nga dënimi i kanë mbetur edhe rreth 9 vite e 6 muaj. Në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt shtetit fqinj.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Kontrolle dhe operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 82”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, i dënuar në Itali për trafikim të narkotikëve.

Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në vijim të punës gjurmuese për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 82”.

Në kuadër të operacionit, në qytetin e Durrësit, nga Forcat Operacionale në bashkëpunim me DVP Durrës, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe ndalimi i personit në kërkim ndërkombëtar, shtetasit Rexhep Muka alias Kreshnik Muka, 43 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit Cagliari/Itali, në vitin 2021, e ka dënuar me 12 vite burg (mbetur për të vuajtur 9 vite e 6 muaj burg), për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për realizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë.