Raportohet se tetë emigrantë u mbytën sot në mëngjes pranë ishullit Rodos në Greqi, pasi mjeti lundrues ku udhëtonin u përmbys, siç bënë të ditur autoritetet greke. Roja bregdetare saktësoi se tragjedia ndodhi pasi drejtuesi bëri “lëvizje të rrezikshme” e kjo në një përpjekje për t’i ikur një anijeje patrulluese policore, duke i hedhur emigrantët në ujë.
Autoritetet greke thanë se 18 emigrantë të tjerë u shpëtuan dhe se po vijojnë përpjekjet për shpëtimin e atyre që ende rezultojnë të zhdukur. Nuk është e qartë se sa emigrantë ishin në bord para ndërprerjes së lundrimit.
Rodosi, njëri nga disa ishujt e mëdhenj grekë e që shtrihet pranë bregdetit të Turqisë, njihet si një rrugë mjaft e shfrytëzuar për trafikun me emigrantë në lindje të Detit Mesdhe. Prej fillimit të javës, kjo është e dyta tragjedi e këtij lloji në brigjet greke.
Shtatë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë besohet se u zhdukën kur anija e tyre u fundos pjesërisht në jug të ishullit të Kretës, gjatë fundjavës së kaluar. Referuar vlerësimeve, numri i emigrantëve që shkojnë ilegalisht në Greqi, pritet të rritet në 60 mijë këtë vit.
Sirianët përbëjnë shifrën më të lartë të tyre, të ndjekur nga afganët, egjiptianët, eritrianët, si dhe palestinezët, sipas të dhënave zyrtare.