Një ngjarje e rëndë ka goditur produksionin e serialit të njohur “Emily in Paris”. Diego Borella, ndihmës-regjisor i serialit, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare pas një incidenti gjatë xhirimeve në Venecia.
Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi të enjten mbrëma, rreth orës 19:00, pranë hotelit luksoz “Danieli”, ku ekipi po xhironte skena për sezonin e pestë.
Borella u rrëzua papritur në set dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, u shpall i vdekur si pasojë e një “sulmi të papritur në zemër”.
Lajmi u konfirmua nga “Paramount Television Studios”, të cilët shprehën dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij.
Humbja e Diego Borellës është një tronditje e madhe për ne. Ai ishte një profesionist i jashtëzakonshëm dhe një pjesë e çmuar e ekipit tonë
-thuhet në deklaratën e studios.
Pas tragjedisë, xhirimet u pezulluan për disa ditë dhe rifilluan të shtunën. Sezoni i pestë i “Emily in Paris”, ku luajnë Lily Collins, Philippine Leroy-Beaulieu, Ashley Park dhe Lucas Bravo, ka nisur xhirimet në Romë, më pas në Paris dhe aktualisht në Venecia.
Humbja e papritur e Borellës ka lënë një hije trishtimi mbi kastin dhe ekipin realizues, të cilët e përjetojnë këtë moment si një dhimbje të madhe personale dhe profesionale.