Gossip Showbiz

Lily Collins si Audrey Hepburn? Zgjedhja për filmin e ri ndez debat në internet, reagon djali i ikonës!

Zgjedhja e aktores Lily Collins për të luajtur ikonën e kinemasë Audrey Hepburn në një film të ri ka ndezur debat në rrjetet sociale.

Filmi do të bazohet në librin Fifth Avenue, 5 AM: Audrey Hepburn, Breakfast at Tiffany’s and the Dawn of the Modern Woman nga autori Sam Wasson dhe do të fokusohet në një moment të rëndësishëm të karrierës së aktores legjendare: periudhën kur ajo po xhironte filmin e famshëm Breakfast at Tiffany’s në vitin 1961.

Lajmi për përzgjedhjen e aktores ka sjellë reagime të përziera. Disa fansa e kanë cilësuar këtë zgjedhje si “perfekte”, duke argumentuar se Lily Collins i përshtatet shumë imazhit të Audrey Hepburn.

Të tjerë, ndërkohë, kanë shprehur rezerva, duke theksuar se aktorja legjendare ishte “e veçantë dhe e pazëvendësueshme”.

Për këtë çështje ka reaguar edhe djali i Hepburn, Sean Hepburn Ferrer, autor i biografisë Intimate Audrey. Në një deklaratë për Fox News, ai tha se e vlerëson shumë aktoren që do të interpretojë nënën e tij.

E dua Lily Collins. Sam Wasson është një mik i mirë i imi dhe jam shumë i lumtur për të. Nuk kam një mendim të veçantë për filmin, pasi ende nuk është realizuar

-tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se nëna e tij ndoshta do të ishte turpëruar nga nëntitulli i librit që e përshkruan si “agimi i gruas moderne”, pasi ajo zakonisht shmangte komplimentet.

Sipas Sean Hepburn Ferrer, aktualisht janë në zhvillim dy projekte filmike për jetën e aktores, ky film dhe një tjetër i titulluar “Darka me Audrey”.

Ndërkohë, ekspertët e kinemasë theksojnë se interpretimi i një figure kaq ikonike është gjithmonë një sfidë për aktorët.

Profesori Charlie Keel nga University of Toronto shpjegon se kur një aktor modern luan një figurë historike të njohur, publiku priret ta krahasojë performancën me imazhin e saj të paharrueshëm në ekran.

Ai e përshkroi Audrey Hepburn si një simbol elegance të viteve 1950, me një zë, theks dhe prani aristokratike që e bënin të dallueshme.

Megjithatë, profesionistë të tjerë të industrisë theksojnë se suksesi i një roli të tillë nuk varet vetëm nga ngjashmëria fizike, por nga aftësia e aktorit për të përcjellë thelbin e personalitetit që interpreton.