Kompanitë investojnë miliona në trajnimin e punonjësve, por përfitimi shpesh duket i paqartë. Një studim i ri sugjeron se problemi qëndron te mënyra si matet ky përfitim, pasi shumica e organizatave anashkalojnë ndikimin te menaxherët.
Studiuesit ndoqën një program 16-javor rritjeje aftësish në një agjenci qeveritare në Kolumbi dhe zbuluan se produktiviteti i punonjësve u rrit me 10%, ndërsa email-et për kërkim ndihme ranë, duke u liruar kohë menaxherëve për punë strategjike. Këto efekte përbënin pothuajse gjysmën e përfitimeve totale të programit.
Drejtuesit shpesh vënë në dyshim nëse trajnimet ia vlejnë kostot dhe kohën, por të dhënat tregojnë se rritja e aftësive nuk përmirëson vetëm produktivitetin e punonjësve, por edhe atë të menaxherëve.
Punonjësit në vijën e parë përfunduan 10% më shumë punë pas trajnimit krahasuar me një vit më parë, ndërsa kërkuan më pak ndihmë nga eprorët, duke u dhënë këtyre të fundit më shumë hapësirë për të përmbushur detyra strategjike.
Sipas profesorit të Harvard Business School, Christopher T. Stanton, vlera e fshehur e trajnimit qëndron pikërisht në lirimin e kohës së menaxherëve.
Në këtë rast, koha e kursyer përbënte gati gjysmën e përfitimeve totale. Ai vëren se shumica e punonjësve kërkojnë ndihmë nga menaxherët, ndaj trajnimi mund të reduktojë këtë varësi dhe të rrisë efikasitetin në të gjithë organizatën.
Studimi analizoi 655 punonjës në një agjenci rregullatore kolumbiane, ku rreth 12% e stafit mori pjesë në një program 120-orësh.
Rezultatet treguan rritje të ndjeshme të performancës: punonjësit përmirësuan arritjen e objektivave me rreth 10%, ndërsa menaxherët realizuan 3% më shumë detyra strategjike. Ata që punonin më afër me stafin e trajnuar përfituan edhe më shumë, duke rritur produktivitetin deri në 8%.
Përveç produktivitetit, trajnimi rriti edhe stabilitetin në karrierë dhe mundësitë për promovim. Punonjësit e trajnuar kishin më shumë gjasa të qëndronin në organizatë dhe dyfish më shumë gjasa të avancoheshin në detyrë.
Efektet anësore të trajnimit te menaxherët përbënin rreth 45% të përfitimeve totale, çka sugjeron se kompanitë duhet të rishikojnë mënyrën si e vlerësojnë kthimin nga investimi. Pa këtë efekt, organizata do të duhej të trajnonte pothuajse dyfishin e stafit për të arritur të njëjtin rezultat.
Gjetjet sfidojnë idenë tradicionale se vlera rrjedh vetëm nga lart-poshtë në hierarki.
Në këtë rast, investimet te punonjësit në vijën e parë krijojnë ndikim që ngjitet lart në organizatë. Me zhvillimin e IA-së dhe mundësitë për trajnime më të shkallëzueshme, organizatat mund të bëhen më pak hierarkike dhe më të vetë-mjaftueshme. /shqip.al