Një trajtim që dikur mund të konsiderohej fantashkencë ka arritur të kthejë mbrapsht forma agresive dhe deri dje të pashërueshme të kancerit të gjakut, sipas një raportimi të BBC. Mjekët britanikë thonë se terapia e re, e cila përdor modifikimin ultra-preciz të ADN-së, po jep rezultate të jashtëzakonshme te fëmijët dhe të rriturit me leuçemi të rëndë. Trajtimi konsiston në modifikimin e saktë të ADN-së së qelizave të bardha të gjakut, për t’i transformuar ato në një “medikament të gjallë” që kërkon dhe shkatërron qelizat kancerogjene.
Pacientja e parë që mori këtë trajtim inovativ ishte Alyssa Tapley, atëherë 13 vjeçe, e cila vuante nga T-cell acute lymphoblastic leukaemia, një formë agresive e kancerit të gjakut që nuk i ishte përgjigjur as kimioterapisë dhe as transplantit të palcës kockore. Alyssa kaloi katër muaj në spital, me gjithë sistemin imunitar të rindërtuar nga e para. Sot, tre vite më vonë, kanceri i saj është plotësisht i padetektueshëm. Ajo është 16 vjeçe, në gjendje të mirë shëndetësore, ndjek A-levels dhe shprehet se dëshiron të bëhet shkencëtare për të studiuar kancerin e gjakut.
Pas Alyssës, shkencëtarët në University College London (UCL) dhe Great Ormond Street Hospital kanë trajtuar edhe tetë fëmijë dhe dy të rritur të tjerë me të njëjtin lloj kanceri. Sipas të dhënave të deritanishme, 64% e pacientëve kanë hyrë në remision, një rezultat që cilësohet i jashtëzakonshëm duke marrë parasysh se të gjithë pacientët kishin dështuar ndaj trajtimeve të mëparshme. Pa këtë terapi, mjekët thonë se alternativa e vetme do të ishte lehtësimi i dhimbjeve, pasi rastet konsideroheshin të pashpresa.