Bota

Trashëgimia e Papa Françeskut: Mëshira, drejtësia sociale e kujdesi mjedisor!

Papa Françesku ndërroi jetë sot ndërsa periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor. Më 2015-ën, Papa Françesku publikoi “Laudato si”, ku bënte thirrje për veprim global për të luftuar ndryshimet klimatike e për kujdes ndaj ambientit.

Rëndësi i kushtoi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019-ën, një marrëveshje e rëndësishme për promovimin e paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.

Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara. Po ashtu bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit e për të adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.

Më 2025-ën publikoi autobiografinë “Shpresa”, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin. Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa probleme shëndetësore. Më 2021-shin, iu nënshtrua një operimi në zorrën e trashë e më 2023-shin pati një tjetër ndërhyrje në abdomen.

Ndërkaq, përballej me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës e shpesh përdorte karrocë me rrota. Pavarësisht këtyre problemeve, pati agjendë të ngarkuar e kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi në botë. Në fillim të këtij viti u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë rezultoi pneumoni e dyfishtë. Gjendja e rënduar, e detyroi të qëndronte me ditë të tëra në spital.

Në orën 07:35 të mëngjesit të sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit ndaj Zotit dhe kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve e më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne lutemi për shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit.