Aktualitet

Tregtonte ilaçe kontrabandë e të skaduara, arrestohet!

Magazinonte ilaçe të ndryshme, pa faturë tatimore e të skaduara dhe më pas i hidhte në treg. Në Fier, policia arrestoi një 42-vjeçar. Gjatë operacionit të koduar “Skadenca”, u sekuestruan 1 mijë e 635 kuti me medikamente me afat përdorimi të kaluar, si dhe 2 mijë e 654 pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës në pronësi të 42-vjeçarit Bojken Bregovina.

Dhe si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 4289 kuti me medikamente të ndryshme. Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas, prej një periudhe të gjatë kohore, magazinonte medikamente të skaduara dhe më pas i hidhte në treg, duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit B. B., për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.