Një tjetër rregull shëndeti dhe mirëqenieje po qarkullon në rrjetet sociale: rregulli 3×3. I krijuar nga fit.abbie, ky hack premton energji, rutinë dhe shëndet më të mirë nëse çdo ditë, përpara mesditës, arrini të bëni 3,000 hapa, të pini një të tretën e ujit që ju nevojitet dhe të konsumoni 30 gramë proteina.
Çfarë përfitimesh sjell?
Ekspertët theksojnë se secili prej këtyre zakoneve është i dobishëm.
Ecja: Një formë e thjeshtë aktiviteti aerobik që përmirëson shëndetin kardiovaskular dhe ul rrezikun e dëmtimeve. Edhe një shtesë prej 2,000–4,000 hapash në ditë sjell përfitime të ndjeshme.
Hidratimi: Pirja e ujit që herët në ditë është thelbësore, pasi organizmi kalon disa orë pa ujë gjatë gjumit. Kjo ndihmon trurin, zemrën, lëkurën dhe veshkat.
Proteina: E domosdoshme për masën muskulore, sistemin imunitar, hormonet dhe metabolizmin. Udhëzimet sugjerojnë që 10–35% e kalorive ditore të vijnë nga proteina, që përkthehet në rreth 50–75 gramë në ditë.
Ky kombinim mund të ndihmojë për të ngritur një bazë të fortë për shëndetin dhe për të nisur ditën me më shumë energji.
Megjithatë, sipas ekspertes Maria Laura Haddad-Garcia, ky rregull ka kufizimet e veta.
Eshtë e rëndësishme të pini ujë, të lëvizni dhe të merrni proteina, por nuk ka pse të ndodhin patjetër para mesditës. Çdo individ ka nevoja të ndryshme, ndaj thelbësore është që këto zakone të bëhen pjesë e ditës, jo domosdoshmërisht sipas një ore të caktuar.
Rregulli 3×3 mund të shërbejë si një shtysë praktike për të ndërtuar dhe ndjekur një rutinë, por nuk është një formulë magjike për të gjithë. Pavarësisht numrave të saktë, ajo që ka më shumë rëndësi është të lëvizni, të hidratoheni dhe të merrni proteina mjaftueshëm, në kohën që i përshtatet jetës dhe trupit tuaj.
Ndërkohë, dietologët paralajmërojnë se trendet e thjeshtuara si rregulli 3×3 nuk duhet të zëvendësojnë një plan ushqimor dhe jetese të balancuar. Nëse nuk përshtaten me nevojat individuale, ato mund të krijojnë ndjesi presioni ose dështimi te njerëzit që nuk arrijnë t’i zbatojnë çdo ditë.
Prandaj, më e rëndësishme se respektimi i një ore fikse është krijimi i zakoneve të qëndrueshme që mund të ndiqen në afatgjatë./ shqip.al