Bota

Tri ditë zie në Spanjë pas tragjedisë hekurudhore me mbi 40 viktima!

Nga sot, në Spanjë janë shpallur tri ditë zie, në nderim të 41 personave që u vranë pasi dy trena të shpejtë u përplasën të dielën në mbrëmje, në aksidentin më vdekjeprurës që nga 2013-ta, kur 80 persona vdiqën pasi një tren doli nga shinat në qytetin Santiago de Kompostela.

Aksidenti i fundit ndodhi kur një tren që operohej nga kompania Iryo e që udhëtonte nga Malaga për në Madrid, doli nga shinat afër Adamuzit në rajonin jugor të Andaluzisë. Teksa doli në anën tjetër të shinave, u përplas me një tren që po vinte nga drejtimi i kundërt.

Kjo është një ditë e dhimbjes për gjithë Spanjën, për gjithë kombin, tha kryeministri Petro Sanchez, gjatë një adresimi për gazetarë kur qëndroi në Adamuz dhe njoftoi për shpalljen e tri ditëve të zisë. Ne do të marrim përgjigje dhe sapo të kuptohet shkaku i tragjedisë do të njoftojmë për të me transparencë absolute.

Makineri të rënda u dislokuan dje në vendngjarje, për të larguar vagonët e dëmtuar të trenave dhe për t’iu mundësuar qasje ekipeve të shpëtimit.

Më shumë se 120 vetë u plagosën dhe 41 prej tyre ende janë në spitalet në qytetin Kordoba.

Familjarët dhe miqtë e pasagjerëve të zhdukur kanë përdorur rrjetet sociale për të publikuar foto të të afërmve, në përpjekje për t’i gjetur.

Përplasja e trenave ndodhi në një segment të drejtë të hekurudhës, kur të dy trenat po udhëtonin brenda limitit të shpejtësisë.