Lidhur me ngjarjen e një dite më parë, ku iu vendos tritol derës së Gentjan Zotos në Vlorë, duke shkaktuar dëme të lehta, policia po heton të gjitha pistat e mundshme, nga konfliktet e mëparshme, ato të fundit, deri te mundësia e inskenimit të ngjarjes.
Gentjan Zoto është dënuar nga Gjykata e Apelit me 35 vite burg për atentatin ndaj Inez Hajrullës e Ervis Matodashajt, më 10 maj 2019. Në shtator 2023, Gjykata e Apelit dënoi me vendim të formës së prerë me 35 vjet burg për Daut Elmazin e Gentjan Zoton, 30 vite heqje lirie Igli Memajt e nga 25 vjet burg Serxho Ademit e Albano Goxhajt.
Në atë kohë, tre gjyqtare të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dhe Edlira Petri bënë kallëzim në polici duke deklaruar se janë kërcënuar në sallën e gjyqit, pas shpalljes së vendimit për të pandehurit.
Për këtë arsye, policia po heton të gjitha pistat për vendosjen e tritolit një ditë më parë, pasi ngjarja ndodhi vetëm tri ditë para se të zhvillohet gjyqi në Gjykatën e Lartë, ku të pandehurit kanë bërë rekurs ndaj vendimit të Apelit.
Po hetohet nëse mesazhi i vërtetë nuk është për Zoton, por i paraprin përshkallëzimit të konfliktit lidhur me pozitat rreth gjyqit dhe vjen si paralajmërim për të gjitha palët.