Aktualitet

Tritoli në biznesin në Kamëz, autori u filmua nga kamerat e sigurisë/Dëshmia e pronarëve!

Detaje nga tritoli ndaj një biznesi në Kamëz. Shpërthimi rreth orës 02:20 të mëngjesit, në bulevardin “Nënë Tereza”, ndodhi në restorantin “Perla e Detit”, në pronësi të shtetasve Klodian Murati e Bernard Elezi, kunetër me njëri-tjetrin. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por u shkaktuan dëme materiale.

Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e pasme të biznesit e nga shpërthimi u thyen disa xhama të fasadës së restoranit. Ndërkaq, kamerat e sigurisë fiksuan autorin e maskuar, i cili pasi hodhi lëndën plasëse u largua me vrap në këmbë.

Dy pronarët deklaruan se nuk kanë konflikte me njeri dhe se nuk kanë asnjë ide se përse iu vendos lënda plasëse. Më herët, policia njoftoi:

Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B.E. dhe K.M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.