Bota

Trump autorizon CIA-n për operacione sekrete në Venezuelë!

Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi se ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për të kryer operacione të fshehta në Venezuelë. Ky njoftim shënon një përshkallëzim në përpjekjet e Uashingtonit për t’i bërë presion qeverisë së presidentit venezuelian, Nicolas Maduro.

Fillimisht, The New York Times raportoi për direktivën e klasifikuar, duke cituar zyrtarë amerikanë që kishin informacione për këtë vendim.

Strategjia e administratës Trump për Venezuelën synon rrëzimin e Maduros nga pushteti. Administrata ka ofruar 50 milion dollarë shpërblim për informacione që çojnë në arrestimin dhe dënimin e tij për akuza të trafikut të drogës.

CIA-s i lejohet të kryejë operacione vdekjeprurëse në Venezuelë e të zhvillojë një sërë operacionesh në Karaibe.

I pyetur pse e autorizoi CIA-n të veprojë në Venezuelë, Trump u tha gazetarëve se arsyet lidhen me emigrimin e venezuelianëve drejt SHBA-ve, si dhe trafiku i drogës.

E autorizova për dy arsye. Së pari, ata i kanë zbrazur burgjet e tyre në SHBA… erdhën përmes kufirit. Ata erdhën sepse ne kishim një kufi të hapur. Arsyeja tjetër janë drogat.

Trump nuk ofroi prova lidhur me pretendimin e tij se Venezuela po dërgon në SHBA ish të burgosur. Presidenti amerikan shtoi se Amerika ka bërë përparim në ndalimin e dërgesave të drogës përmes detit dhe se përpjekje të tjera po shënohen për të ndërprerë linjat tokësore të kontrabandës.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të japë detaje se për çfarë veprimesh specifike presidenti ka autorizuar CIA-n, që ka një historitë të gjatë të operacioneve në Amerikën Latine, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë dhe ka ndihmuar në rrëzimin e perandorive të trafikut të kokainës në Amerikën e Jugut, në fund të shekullit XX.

Qeveria e Venezuelës tha se deklaratat e Trump-it përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe shtoi se veprimet e Uashingtonit kanë për qëllim të legjitimojnë një operacion të “ndryshimit të regjimit” me synim të marrjes nën kontroll të burimeve të naftës që ka vendi.

Misioni ynë i përhershëm në OKB do ta paraqesë këtë ankesë në Këshillin e Sigurimit dhe te sekretari i Përgjithshëm, duke kërkuar llogaridhënie nga qeveria amerikane, u theksua në një deklaratë të publikuar nga ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, në llogarinë e tij në Telegram.

Trump vazhdimisht ka akuzuar Venezuelën se është në fokus për trafikun e drogës vdekjeprurëse fentanil, por të dhënat zyrtare të SHBA-ve kanë treguar se Meksika është burimi kryesor i fentanilit.

Një gazetar e pyeti Trump-in pse nuk kishte urdhëruar Rojet Bregdetare të ndalonin anijet e dyshuara për trafik droge, praktikë e përdorur nga SHBA-të për dekada. Trump e quajti një veprim të tillë “politikisht korrekt”, por shtoi se nuk ka funksionuar.