Bota

Trump bën thirrje për arritje të marrëveshjes për përfundim të luftës në Gaza!

Presidenti amerikan, Donald Trump sot bëri thirrje për përparim në bisedimet për armëpushim në konfliktin në Gaza, duke apeluar që palët të pajtohen për t’i dhënë fund luftës mbi 20 mujore. Një zyrtar izraelit tregoi se ka plane që kryeministri Benjamin Netanyahu të udhëtojë në Uashington në javët që vijnë, sinjal se mund të ketë lëvizje për një marrëveshje të re. Duke folur në kushte anonime, refuzoi të diskutojë mbi fokusin e vizitës.

“PAJTOHUNI PËR MARRËVESHJE PËR GAZËN. KTHEJINI PENGJET!!!”, shkroi Trump në rrjetin social, Truth Social.

Prej dy ditësh, shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka shtuar pritshmëritë lidhur me një marrëveshje duke thënë se akordi për armëpushim, mund të arrihet javën tjetër. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, deklaroi:

Jemi duke punuar për Gazën dhe po përpiqemi të kujdesemi për të.

Trump ka bërë thirrje të vazhdueshme që Izraeli dhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, t’i japin fund luftës në Gaza. Pavarësisht një armëpushimi 8-javor të arritur kur Trump po niste mandatin presidencial, kanë dështuar përpjekjet për t’i pajtuar palët mbi një marrëveshje të re.

Këshilltari i lartë i Netanyahu-t, ministri izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, pritet të udhëtojë në Uashington brenda ditësh për të negociuar armëpushimin. Rreth 50 pengje vazhdojnë të mbahen në Gaza e më pak se gjysma e tyre mund të jenë gjallë. Ata janë pjesë e rreth 250 të rrëmbyerve nga Hamasi, në sulmin kundër Izraelit, më 7 tetor 2023, duke nxitur kështu luftën që vazhdon prej 21 muajsh.

Luftimet iu kanë marrë jetën mbi 56 mijë palestinezëve, referuar autoriteteve shëndetësore të Gazës. Besohet se shumica e tyre janë gra dhe fëmijë. Shpresat për marrëveshje janë rritur me përfshirjen e Trump-it në këtë çështje. Hamasi shprehet i gatshëm t’i lirojë pengjet në këmbim të përfundimit të luftës në Gaza.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se do t’i japë fund luftës vetëm kur të çarmatoset Hamasi, por grupi nuk pranon. Ndërkohë, palestinezët e uritur janë duke jetuar në situatë të përshkruar si “katastrofike”. Pas bllokimit të të gjitha ndihmave për dy muaj e gjysmë, Izraeli lejoi një pjesë të vogël të tyre në territorin e Gazës, në mesin e muajit maj.