Bota

Trump në krah të Netanyahut: Anulojini gjyqin!

Presidenti amerikan, Donald Trump, po kërkon që Izraeli të falë kryeministrin Benjamin Netanyahu ose të anulojë gjyqin ndaj tij për korrupsion, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do ta shpëtojnë atë, ashtu siç Netanyahu “shpëtoi vendin e tij”. Ndaj shefit të qeverisë izraelite u ngrit aktakuzë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në vitin 2019. Por, i mohon të gjitha akuzat.

Gjyqi filloi në vitin 2020 dhe përfshin tri çështje penale me Netanyahun, i cili është deklaruar i pafajshëm.

Gjyqi i Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET, MENJËHERË, ose të falet Heroi i Madh, i cili ka bërë kaq shumë për shtetin e Izraelit, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke shtuar se mori vesh që Netanyahu pritet të paraqitet në gjykatë të hënën e ardhshme, më 30 qershor.

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, deklaroi se Trump nuk duhet të ndërhyjë në këtë çështje.

Me gjithë respektin dhe mirënjohjen për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ai nuk duhet të ndërhyjë në një proces ligjor të një shteti të pavarur, vuri në dukje Lapid. Shpresoj dhe besoj se ky është një shpërblim që Trump po i jep Netanyahut, sepse synon të ushtrojë trysni ndaj tij për Gazën dhe për ta detyruar ta pranojë një marrëveshje për pengjet që do ta përfundojë luftën, i tha Lapid faqes izraelite të lajmeve Ynet.

Trump e lavdëroi Netanyahun si një “luftëtar”, por në postimin e tij shtoi:

Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që e shpëtuan Izraelin dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që do ta shpëtojnë Bibi Netanyahun.

Duket se po i referohej përfshirjes dhe mbështetjes amerikane për sulmet izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit. Nuk është e qartë nëse Trump nënkuptoi se Amerika mund të bëjë diçka konkrete për ta ndihmuar Netanyahun në betejën e tij ligjore.

Presidenti republikan e përshkroi çështjen kundër udhëheqësit izraelit si “gjueti shtrigash”, një term që Trump e ka përdorur shpesh për t’i përshkruar përpjekjet për ta ndjekur atë penalisht në SHBA e të cilin edhe Netanyahu e ka përdorur për të përshkruar gjyqin ndaj tij.

Fjalët mbështetëse të Trump-it vijnë pas një qortimi të rrallë që të martën i pati rezervuar Izraelit për sulmet ajrore ndaj Iranit për armëpushimin në Lindjen e Mesme.