Presidenti amerikan, Donald Trump iu bëri thirrje anëtarëve të ushtrisë e policisë iraniane, si edhe Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të ulin poshtë armët, duke iu premtuar “imunitet të plotë” nëse braktisin drejtimin klerikal të shtetit.
Sa vijnë e rriten shqetësimet se lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme e nuk po prek vetëm aleatët arabë të Uashingtonit, por edhe vendet e tjera që nuk janë pjesë e Gjirit, si Azerbajxhani, Turqia, Qipro e madje Sri Lanka, rreth 3.900 kilometra larg.
Trump iu bërë thirrje forcave të sigurisë që të rreshtohen me popullin iranian e të ndihmojnë në rrëzimin e qeverisë që e ka udhëhequr shtetin prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.
U bëj thirrje edhe një herë të gjithë anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike, ushtrisë dhe policisë që t’i ulin armët. Tani është koha të rreshtoheni me popullin iranian dhe të ndihmoni në kthimin e shtetit tuaj!
Trump iu bëri thirrje edhe diplomatëve iranianë që janë nëpër vende të ndryshme, të kërkojnë azil e të ndihmojnë në formësimin e të ardhmes së Iranit.
U bëjmë thirrje diplomatëve iranianë nëpër botë që të kërkojnë azil dhe të ndihmojnë në krijimin e një Irani të ri dhe më të mirë, me potencial të madh.
Më vonë, në një intervistë për NBC News, presidenti tha se nuk po e shqyrton angazhimin e trupave amerikane tokësore në Iran.
Është humbje kohe. Ata kanë humbur gjithçka. E kanë humbur marinën. Kanë humbur gjithcka që mund të humbnin. Komenti i ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi se Irani është gati nëse do të ketë pushtim tokësor është shterpë.
Pretendimet për humbje të mëdha ushtarake
Presidenti amerikan pretendoi se kapacitetet e ushtrisë iraniane janë degraduar rëndë pas luftimeve të fundit.
Në vetëm tre ditë, armët anti-ajrore janë zhdukur. Nuk kanë forcë ajrore. Nuk kanë mbrojtje ajrore. Të gjithë aeroplanët e tyre u shkatërruan, komunikimet po ashtu. 60% e raketave iraniane dhe 64% e raketave-hedhësve janë shkatërruar dhe Marina e Iranit humbi 24 anije.
Trump akuzoi Teheranin për sulme kundër disa vendeve të Gjirit, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ata po sulmonin gjithë Lindjen e Mesme. Më pas u angazhuam ne dhe iu prishëm festën.
Diskutimet për liderin e ri
Disa orë më parë, Trump tha se Uashingtoni do të ndihmojë në zgjedhjen e liderit të ri në Iran, pasi Ali Khamenei u vra më 28 shkurt.
Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, hodhi poshtë mundësinë që Mojtaba Khamenei, djali i liderit suprem të vrarë, të dalë në krye të shtetit, duke e quajtur “peshë të lehtë”.
Ne duam të përfshihemi në procesin e zgjedhjes së personit që do ta udhëheqë Iranin në të ardhmen. Nuk mund të shkojmë çdo pesë vjet e ta bëjmë këtë gjë sërish… duhet të jetë dikush që është i mirë për popullin, i mirë për shtetin. Djali i Khameneit është i papranueshëm për mua. Ne duam një figurë që do të sjellë harmoni dhe paqe në Iran.