Bota

Trump kërcënon Putinin me tarifa të naftës nëse s’bën armëpushim në Ukrainë!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të vendosë tarifa dytësore prej 25 deri në 50% ndaj naftës ruse, nëse sheh se Moska po bllokon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në një intervistë telefonike për NBC News, deklaroi se u “zemërua shumë” kur presidenti rus, Vladimir Putin, bëri thirrje për krijimin e një qeverie kalimtare në Ukrainë, nga e cila presidenti Volodymyr Zelensky do të përjashtohej.

Nëse Rusia dhe unë, nuk arrijmë të bëjmë marrëveshje për ndalimin e gjakderdhjes në Ukrainë dhe nëse mendoj se është faji i Rusisë, që mund të mos jetë, por nëse unë mendoj se është faji i Rusisë, unë do të vendos tarifa dytësore për naftën, për gjithë naftën që del nga Rusia.

Kjo do të thotë se nëse blini naftë nga Rusia, nuk mund të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara. Do të ketë një tarifë 25% për gjithë naftën, një tarifë 25 deri në 50% për gjithë naftën. Masat tregtare do të vendoseshin brenda një muaji, nëse marrëveshja për armëpushim nuk arrihet.

Deklaratat e tij vijnë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi më 25 mars se Rusia dhe Ukraina ranë dakord për armëpushim e për të lejuar lundrimin në Detin e Zi, si dhe për të mos goditur objektet energjetike të njëra-tjetrës. Por, problemet për zbatimin e marrëveshjes vazhdojnë.

Kievi thotë se akordi do të hynte në fuqi menjëherë ndërsa fillimisht, Moska kërkon heqjen e pjesshme të sanksioneve që kanë të bëjnë me kompanitë dhe bankat ruse, të përfshira në tregtinë ndërkombëtare të ushqimit. Trump i tha NBC-së se do të flasë me Putinin gjatë kësaj jave.

Duke folur me gazetarët po dje, Trump u shpreh se edhe udhëheqësi ukrainas, Zelensky do të përballet me “probleme të mëdha” nëse nuk nënshkruan marrëveshjen për mineralet me Uashingtonin.

Ne e bëmë një marrëveshje për mineralet e rralla. Dhe tani, ai thotë: e dini, unë dua ta rinegocioj marrëveshjen. Ai dëshiron të jetë anëtar i NATO-s, por ai kurrë nuk do të jetë anëtar i NATO-s. Ai e kupton këtë.

Qeveria ukrainase tha se është duke shqyrtuar projekt-marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për mineralet e rralla, pas raportimeve të mediave se Uashingtoni i ka ndryshuar disa herë kushtet e saj.