Bota

Trump kërkon zhbërjen e programit bërthamor të Iranit, por sinjalizon fleksibilitet!

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se objektivi i negociatave me Iranin është sigurimi i “zhbërjes së plotë” të programit të tij bërthamor, por se do ta shqyrtonte mundësinë e lejimit të Teheranit për të mbajtur një program civil për energjinë bërthamore. Në një intervistë me NBC-në, Trump deklaroi se shpërbërja e programit bërthamor të Iranit do të ishte “ajo çfarë do të pranoja”.

Komenti përbën herën e parë që Trump ka thënë shprehimisht se çfarë dëshiron të bëjë me programin bërthamor të Iranit, që Teherani thotë se është paqësor. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sugjeroi javën e kaluar se Uashingtoni do të ishte i hapur për ta lejuar Iranin të operojë një program paqësor civil bërthamor, duke thënë se “ekziston një mënyrë për ta bërë këtë”.

Kjo mënyrë është ndërtimi i reaktorëve dhe importimi i uraniumit të pasuruar për vënien në funksion të këtyre reaktorëve. Kështu veprojnë dhjetëra vende nëpër botë.

Trump u duk se i bëri jehonë komenteve të Rubios, duke i thënë NBC-it se do të ishte “i hapur për ta dëgjuar”.

Quhet energji civile. Por, siç e dini, energjia civile shpesh çon në luftëra ushtarake. Ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore. Eshtë shumë e thjeshtë.

Trump deklaroi se një program civil bërthamor do të përdorej për prodhimin e energjisë elektrike, por duke marrë parasysh se Irani është vend i pasur me energji, nuk do t’i duhej.

Jam i prirur që të them se për çfarë ju duhet kur keni mjaftueshëm naftë.

Jason Brodsky, drejtor politikash në organizatën United Against Nuclear Iran (Të bashkuar kundër Iranit bërthamor), deklaroi se komentet e Trumpit e kanë bërë të qartë se administrata nuk është e interesuar për një version të ri të marrëveshjes bërthamore të 2015-ës me Iranin.

Kjo intervistë e vë në pikëpyetje atë fantazi, shkroi ai në rrjetin social X.

Ndërkohë, të tjerë shprehen se thirrja e Trumpit për zhbërjen e programit bërthamor të Iranit, kur në të njëjtën kohë vazhdon të jetë i hapur për mundësinë që Irani të operojë një program civil të energjisë bërthamore, sugjeron se ai ende është i pavendosur.

Mbase mund të argumentohet se ekipi i Trumpit ende nuk e di saktësisht se çfarë do nga Irani, por ai vetë dëshiron një marrëveshje ndryshe nga ajo e 2015-ës, shkroi analisti i politikës së jashtme me bazë në Iran, Rahman Qahremanpour.

Irani ka hedhur poshtë thirrjet për zhbërjen e programit të tij bërthamor dhe për heqjen dorë nga aftësia për pasurimin e uraniumit.