Pas përçarjes që duket e pakthyeshme, Donald Trump sulmon përsëri Elon Musk-un. Në një intervistë për Abc News, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi:
Ai dëshiron që të flasë me mua, por unë nuk jam i interesuar t’i flas.
Presidenti amerikan nuk e la me kaq dhe vijoi me sulmet ndaj ish-bashkëpunëtorit:
Ai është plotësisht i çmendur.
Sipas New York Times-it, Trump fajëson drogën për sjelljen “e çmendur” të Musk-ut.
Në 24 orët e fundit, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump iu ka thënë ndihmësve të tij se sjellja “e çmendur” e Elon Musk-ut është për shkak të përdorimit të drogës, raporton New York Times, duke cituar dy persona që kanë dijeni për bisedat private të presidentit amerikan. Gazeta thekson se Trump ishte vënë në dijeni për artikullin e botuar në fund të muajit të kaluar e që i referohej përdorimit të rëndë të drogës nga shefi i Teslës gjatë fushatës zgjedhore.
Përplasja u shkaktua nga kritikat e ashpra të numrit një të Teslës për shpenzimet dhe shkurtimet e faturave të manjatit. Ndërkohë, miliarderi nga Pretoria humbi 33 miliardë dollarë në pasuri neto në një ditë të vetme, pas përplasjes.
Dhe nga Rusia vjen një provokim:
Gati për t’i ofruar azil politik Musk-ut.
Dmitry Novikov, nënkryetari i parë i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare të Dumës, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS:
Mendoj se Musk nuk do të ketë nevojë për azil politik. Por nëse ka, sigurisht që Rusia mund t’ia ofrojë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi që të ndërhynte drejtpërdrejt në mosmarrëveshje kur një ditë më parë u pyet nga gazetarët. Përplasjes iu referua si një “çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga ana e tij, Musk-u mbylli sondazhin që nisi në X dhe njoftoi:
Populli foli, na duhet një parti e re e do të quhet Partia e Amerikës. Një parti e re politike që përfaqëson 80% të popullsisë dhe saktësisht 80% e njerëzve janë dakord.
Kjo është ajo që shkroi Elon Musk, duke publikuar rezultatet e anketës së tij, në të cilën votuan rreth 6 milion njerëz. Me saktësi ishin 5.6 milion përdorues, të cilët iu përgjigjën.