Numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë është rritur në 39 dhe 152 persona të tjerë janë plagosur. Paraprakisht, autoritetet spanjolle kishin konfirmuar vdekjen e 21 personave, pasi një tren i shpejtë dje doli nga shinat dhe u përplas me një tjetër që po vinte në drejtim të kundërt në jug të Spanjës.
Aksidenti ndodhi në afërsi të Adamuzit, provincë e Kordobës, që gjendet rreth 360 kilometra në jug të kryeqytetit, Madrid. Kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, paralajmëroi për mundësinë e rritjes së numrit të viktimave, pasi njoftoi se disa nga të shtruarit në spital ishin në gjendje të rëndë.
Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva e që gjithashtu doli nga shinat.
Një numër i madh forcash shpëtimi shkuan në vendngjarje, duke u përpjekur të nxjerrin njerëzit e bllokuar nga rrënojat.
Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.
Aksidenti hekurudhor në Adamuz (Córdoba) është “i çuditshëm dhe i vështirë për t’u shpjeguar” pasi treni që shkaktoi aksidentin është relativisht i ri dhe infrastruktura është rinovuar kohët e fundit.
Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës e Huelvës.