Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, tha se ka arritur të ndalë emigracionin ilegal përmes Meksikës. Këto deklarata i bëri pasi bisedoi me udhëheqësen meksikane. Por presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum la të kuptohet se shteti që drejton po bën pjesën e tij dhe nuk ka asnjë interes që të mbyllë kufijtë. Më herët, Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa të reja ndaj Kanadasë e Meksikës si pjesë e përpjekjeve për të frenuar emigrimin e paligjshëm e trafikimin e drogës.
Trump u shpreh:
Sheinbaum ra dakord të ndalë emigracionin përmes Meksikës.
Por përmes rrjeteve sociale, Sheinbaum njoftoi se i tha Trump-it se Meksika “po kujdeset” për karvanët e emigrantëve, duke shtuar se me Trump-in pati “një bisedë të shkëlqyer”.
Ne ritheksuam se qëndrimi i Meksikës nuk është që të mbyllen kufijtë por të ndërtohen ura mes qeverive dhe popujve.
Ende nuk është i qartë qëndrimi i Meksikës sa i përket tarifave të propozuara por Trump shkroi në Truth Social se “në mënyrë efektive po mbyll kufirin jugor”. Bisedën me presidenten meksikane e quajti “shumë produktive”. Sheinbaum shtoi se me Trump-in foli edhe për “strategjinë e Meksikës sa i përket çështjes së emigracionit”.
I thashë atij që karvanët nuk po arrijnë në kufirin verior [me SHBA-të] sepse Meksika po kujdeset për ta. Po ashtu, ne biseduam për bashkëpunimin në çështjet e sigurisë, brenda kornizës së sovranitetit tonë dhe në kuadër të fushatës që po realizojmë për parandalimin e përdorimit të fentanilit.
Emigrimi i paligjshëm përgjatë kufirit me Meksikën, ra pjesërisht për shkak se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka bashkëpunuar me Meksikën për përforcimin e sigurisë. Flukset në kufirin SHBA-Meksikë ranë me 40% nga niveli rekord që u shënua dhjetorin e kaluar. Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të shtuara në anën meksikane.
Të shtyrë nga presioni në rritje nga Amerika, për të bllokuar emigrantët që nisen drejt veriut, vitet e fundit, autoritetet meksikane i kanë grumbulluar emigrantët nga mbarë vendi dhe i kanë dërguar në jug të Meksikës, një strategji që disa ekspertë e kanë parë si përpjekje për të dekurajuar emigrantët, në mënyrë që ata të mos tentojnë të kalojnë për në SHBA.