Presidenti amerikan, Donald Trump nuk i vlerëson të rëndësishme idetë se ai dëshiron të fitojë çmimin Nobel për Paqe, pas javësh spekulimesh, sipas BBC-së.
Nuk kam asgjë për të thënë rreth kësaj, tha Trump për CBS News, partneri amerikan i BBC-së. E vetmja gjë që mund të bëj është të ndaloj luftëra. Nuk kërkoj vëmendje. Dua vetëm të shpëtoj jetë, shtoi presidenti.
Komentet duken në kontrast me deklaratat e mëparshme për këtë çështje, kur ai kishte thënë se duhej t’i jepej ky çmim prestigjioz për rolin e tij në përfundimin e disa konflikteve. Në të njëjtën intervistë telefonike, Trump i tha medias se ishte i angazhuar të ndihmonte për sigurimin e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Diçka do të ndodhë. Do ta realizojmë.
Fituesi i çmimit Nobel për Paqe pritet të shpallet nga Komiteti Nobel Norvegjez më 10 tetor. Katër presidentë të mëparshëm amerikanë janë nderuar me këtë çmim, përfshirë rivalin politik të Trumpit, demokratin Barack Obama.
Trump është nominuar nga disa vende, mes tyre Izraeli e Pakistani dhe ai mori meritën për uljen e tensioneve mes Pakistanit e Indisë fqinje.
Në një tjetër zhvillim, më herët, presidenti amerikan duket se mori një qëndrim më të ashpër me mbështetësit kryesorë europianë të Kievit, duke u thënë atyre se duhet t’i bëjnë më shumë presion financiar Rusisë dhe aleates së saj kryesore, Kinës, për ta detyruar Kremlinin që t’i japë fund luftës në Ukrainë, siç tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Trump theksoi se Evropa duhet të ndalë blerjen e naftës ruse që po financon luftën pasi Rusia mori 1.1 miliardë euro nga shitjet e karburanteve për Bashkimin Evropian brenda një viti, deklaroi zyrtari, sipas Reuters-it.