Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se armëpushimi mes Izraelit e Libanit është zgjatur me tre javë, pas një takimi të zhvilluar në Zyrën Ovale me përfaqësues të të dyja vendeve.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump bëri të ditur se takimi, ku morën pjesë edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, rezultoi “shumë i suksesshëm”.
Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Libanin për ta ndihmuar të mbrohet nga Hezbollahu, shkroi Trump, duke e cilësuar takimin si “historik” dhe shtoi se në të ardhmen do të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin libanez Joseph Aoun.
Megjithatë, mbeten dyshime për qëndrueshmërinë e armëpushimit. Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se nuk është i sigurt nëse marrëveshja e re do ta ndalë plotësisht konfliktin me Hezbollahun, të mbështetur nga Irani.
Qeveria libaneze nuk ka kontroll mbi Hezbollahun. Ata vazhdojnë të dërgojnë raketa e të përpiqen të sabotojnë armëpushimin. Izraeli do të reagojë ndaj çdo kërcënimi.
Zgjatja e armëpushimit vjen pas një marrëveshjeje fillestare 10-ditore dhe në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajon. Ndërkohë, zhvillimet kanë ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë: çmimet e naftës u rritën sot në Azi, me Brent që shkoi në mbi 105.80 dollarë për fuçi.
Konflikti ka ndikuar edhe në transportin detar, pasi dërgesat përmes Ngushticës së Hormuzit mbeten kryesisht të ndërprera, duke shkaktuar shqetësime për furnizimin global me energji.
Nga ana e tij, Vance e cilësoi marrëveshjen si “moment të madh e historik”, duke theksuar se negociatat e drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit, të parat që nga viti 1993, nuk do të ishin të mundura pa përfshirjen direkte të Trump-it.