Bota

Trump paralajmëron Tajvanin kundër shpalljes së pavarësisë/Deklarata pas takimit me homologun Xi!

Presidenti amerikan Trump paralajmëroi Tajvanin të mos shpallë zyrtarisht pavarësinë nga Kina, vetëm disa orë pas përfundimit të samitit dyditor me homologun kinez Xi Jinping, në Pekin.

Në një intervistë për Fox News-in, shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se politika e SHBA-ve nuk ka ndryshuar dhe se Uashingtoni nuk mbështet pavarësinë e Tajvanit.

Unë nuk po kërkoj që dikush të bëhet i pavarur. Dua që gjërat të mbeten të qeta, u shpreh Trump.

Më herët, presidenti tajvanez, Lai Ching-te ka deklaruar se Tajvani e sheh veten si komb sovran, pa pasur nevojë për shpallje formale të pavarësisë. Por, Pekini e ka cilësuar atë si “shkatërrues të paqes” dhe ka intensifikuar stërvitjet ushtarake rreth ishullit, duke rritur tensionet në rajon.

Xi Jinping e ka përshkruar çështjen e Tajvanit si “më të rëndësishmen” në marrëdhëniet Kinë-SHBA, duke paralajmëruar se një keqtrajtim i saj mund të çojë në konflikt mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi se nuk parashikon përplasje ushtarake.

Mendoj se do të jemi mirë. Xi nuk dëshiron të shohë një luftë.

Siç dihet, administrata amerikane ka miratuar një paketë armësh me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin, duke përfshirë raketa e sisteme të avancuara mbrojtjeje. Pekini e ka dënuar këtë vendim, ndërsa Trump tha se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse shitja do të vazhdojë.

Ministria e Jashtme e Tajvanit theksoi se marrëdhëniet me SHBA-të mbeten të forta e se shitjet e armëve janë një “gur themeli i paqes dhe stabilitetit rajonal”.