Është dita e katërmbëdhjetë e konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili ka vënë përballë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin kundër Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump reagoi me një postim në rrjetin e tij, Truth Sociale ku shkruan lidhur me Republikën Islamike:
Shikoni çfarë po u ndodh sot këtyre horrave të çmendur. Ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm në të gjithë botën për 47 vjet dhe tani, unë, si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po i vras ata. Çfarë nderi i madh është ta bëjmë këtë!
Në orët e fundit, ka pasur shkëmbime zjarri të përsëritura, me sulme në Tel Aviv dhe qytete të tjera izraelite e në bazat amerikane në Bagdad, kryeqytetin e Irakut.
Sipas Al Jazeera-s, një sulm me raketa plagosi mbi 33 persona dhe dëmtoi ndërtesa në Zarzir, në Izraelin verior. Shpërthime të shumta u dëgjuan edhe në Teheran, kryeqytetin iranian. IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) njoftoi gjithashtu në Telegram se ka “goditur një terrorist të Hezbollahut në zonën e Bejrutit”, në Liban.
Në një tjetër zhvillim, presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi në X se një nga ushtarët e plagosur gjatë sulmit në Erbil, kryeqytetin e Kurdistanit Irakian, ndërroi jetë në orët e fundit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë autorizuar blerjen e naftës ruse që është tashmë në tranzit “për një periudhë të shkurtër e të kufizuar”.
Një ditë më parë, Udhëheqësi i ri Suprem iranian, Mojtaba Khamenei, foli për herë të parë. Në mesazhin e tij, të lexuar nga një gazetar në televizionin shtetëror, Khamenei njoftoi se:
Ngushtica e Hormuzit duhet që të mbetet e mbyllur.
Gjiri i Hormuzit është rrugë detare kyçe për tregtinë globale të naftës, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror.