Administrata e Donald Trump lëshoi një licencë të re që u lejon vendeve të blejnë përkohësisht produkte të caktuara të naftës ruse, në një kohë kur çmimet e naftës së papërpunuar Brent crude oil kanë kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga gushti i vitit 2022.
Vendimi vjen ndërsa tensionet dhe lufta me Iranin kanë rritur shqetësimet për furnizimin global me energji. Sipas Sekretarit të Thesarit të SHBA-ve, Scott Bessent, autorizimi është i përkohshëm dhe synon të lejojë blerjen e naftës ruse që tashmë ndodhet tranzit në det, për të shmangur një mungesë më të madhe në tregjet globale.
Licenca e publikuar nga Departmenti i Thesarit vlen vetëm për naftën bruto ose produktet e naftës ruse të ngarkuara në anije që nga 12 marsi dhe lejon përfundimin e këtyre dërgesave deri më 11 prill.
Megjithatë, vendimi ka hasur kritika nga disa ligjvënës amerikanë. Senatorja demokrate Jeanne Shaheen deklaroi se nga masa mund të përfitojë financiarisht Vladimir Putin e të ndihmojë ekonominë ruse në kohën kur Moska vazhdon luftën në Ukrainë.
Ndërkohë, lufta në Lindjen e Mesme ka rritur tensionet në Gjirin e Hormuzit, rrugë detare kyçe për tregtinë globale të naftës, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror. Për pasojë, shumë vende po përpiqen të zbusin ndikimin ekonomik duke kufizuar çmimet e karburantit, ulur konsumin e duke përdorur rezervat emergjente të naftës.