Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se tarifat për produktet farmaceutike mund të priten në “të ardhmen jo shumë të largët”. Gjatë një takimi me presidentin salvadorian, Nayib Bukele në Shtëpinë e Bardhë u shpreh se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk prodhojnë më barnat e tyre te kompani farmaceutike me bazë në Irlandë, Kinë apo gjetkë”.
Presidenti amerikan sugjeroi se vendosja e detyrimeve të importit do të zhvendoste prodhimin në Shtetet e Bashkuara. Trump vuri në dukje se “sa më të larta të jenë tarifat, aq më shumë do të investojnë në Amerikë”, duke iu referuar kompanive farmaceutike.
Tarifat e planifikuara i krahasoi me masat ndëshkuese prej 25% për importet e automjeteve, çelikut dhe aluminit, megjithëse nuk është e qartë nëse i referohej përmasave të njëjta.
Ne po e bëjmë këtë sepse duam të prodhojmë ilaçet tona.
Produktet farmaceutike deri më tani janë përjashtuar nga tarifat e reja, të larta të SHBA-ve. Megjithatë, Trump e kishte shprehur qëllimin e tij për të përdorur tarifat për të inkurajuar kompanitë farmaceutike që të ngrejnë objekte prodhuese në Shtetet e Bashkuara.
Qeveria amerikane e ka pranuar se hartimi i dhjetëra marrëveshjeve tregtare paralele me vendet në mbarë botën, brenda tre muajve është një ndërmarrje ambicioze. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi se kjo përbën një detyrë masive, por siç theksoi, “negociatat janë një përpjekje në ekip” dhe vlerësoi këshilltarët e tregtisë të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, mbi 75 vende kanë kontaktuar deri më tani qeverinë amerikane për të punuar drejt një zgjidhjeje të negociuar në konfliktin tregtar ndërkombëtar. Më shumë se 15 shtete, tashmë kanë paraqitur propozime konkrete.
I përballur me turbulenca të konsiderueshme në tregjet e aksioneve, kohët e fundit, Trump u tërhoq në konfliktin e tregtisë ndërkombëtare dhe pezulloi disa tarifa, që sapo kishin hyrë në fuqi, për 90 ditë. Gjatë kësaj pauze tarifore pritet të zhvillohen negociata me vendet e prekura.
Donald Trump nuk e ka fshehur se qëllimi i tij është që të përdorë tarifat për të ushtruar presion ndaj vendeve të tjera, me synimin për të ulur barrierat tregtare për importet nga Shtetet e Bashkuara.