Administrata e Presidentit Donald Trump ka shpallur përjashtimin e smartfonëve dhe kompjuterëve nga tarifat e reja që do të aplikohen për mallrat kineze.
Ky vendim vjen në një kohë kur shqetësimet për rritjen e çmimeve për pajisjet elektronike janë shtuar, për shkak të prodhimit të tyre masiv në Kinë.
Doganat dhe Patrulla Kufitare e SHBA shpallën të premten se smartfonët dhe kompjuterët, si dhe një numër pajisjesh dhe përbërësish elektronikë, do të përjashtohen nga tarifa globale prej 10% që administrata Trump kishte planifikuar të vendoste për shumicën e mallrave të importuara. Po ashtu, tarifa 125% për mallrat kineze do të eliminohet për këto produkte.
Ky vendim erdhi si rezultat i presioneve nga kompanitë e teknologjisë amerikane, të cilat kishin paralajmëruar se tarifat e larta mund të çonin në rritje të çmimeve për produktet e tyre dhe do të kishin një ndikim të drejtpërdrejtë tek konsumatorët.
Analistët nga Bank of America kanë paralajmëruar se zhvendosja e montimit të pajisjeve iPhone nga Kina në SHBA mund të rrisë kostot e prodhimit deri në 90 për qind. Ata shtojnë se edhe pse teknikisht është e mundur që montimi i modeleve iPhone të bëhet në Amerikë, kjo do të rrisë ndjeshëm kostot dhe do të krijojë ndërlikime logjistike. “Çmimi i një iPhone-i mund të rritet me 25 për qind vetëm për shkak të kostove më të larta të fuqisë punëtore në SHBA”-shkruan analistët në një letër drejtuar klientëve. Ata sqarojnë se, edhe nëse Apple gjen punëtorë vendas për montimin final, një pjesë e konsiderueshme e përbërësve të iPhone-it do të duhet ende të prodhohen në Kinë dhe të importohen në SHBA.