Bota

Shtëpia e Bardhë: Negocimi i marrëveshjeve tregtare, i vështirë!

Qeveria amerikane pranon se hartimi i dhjetëra marrëveshjeve tregtare paralele me vendet në mbarë botën, brenda tre muajve është një ndërmarrje ambicioze. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi se përbën një detyrë masive, por siç theksoi, “negociatat janë një përpjekje në ekip” dhe vlerësoi këshilltarët e tregtisë të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, mbi 75 vende kanë kontaktuar deri më tani qeverinë amerikane për të punuar drejt një zgjidhjeje të negociuar në konfliktin tregtar ndërkombëtar. Më shumë se 15 shtete, tashmë kanë paraqitur propozime konkrete.

I përballur me turbulenca të konsiderueshme në tregjet e aksioneve, kohët e fundit, Trump u tërhoq në konfliktin e tregtisë ndërkombëtare dhe pezulloi disa tarifa, që sapo kishin hyrë në fuqi, për 90 ditë. Gjatë kësaj pauze tarifore pritet të zhvillohen negociata me vendet e prekura.

Trump deklaroi se qëllimi i tij është të përdorë tarifat për të ushtruar presion ndaj vendeve të tjera, për të ulur barrierat tregtare për importet nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump reagoi sërish dhe në Truth shkroi:

Po ia dalim shumë mirë me politikën tonë tarifore. Shumë emocionuese për Amerikën dhe botën.

Nuk ndan të njëjtin mendim eurokomisioneri për Ekonominë. Valdis Dombrovskis shkruan se tarifat amerikane do të ndikonin që PBB-ja e SHBA-ve të tkurret me 0.8-1.4% deri në vitin 2027, ndërsa GDP-ja e BE-së, me vetëm rreth 0.2%.

Dhe nëse tarifat do të konfirmoheshin përgjithmonë, pasojat ekonomike do të ishin edhe më negative për amerikanët.

Megjithatë, për momentin, presidenti amerikan po i qëndron një pauze të menjëhershme 90-ditore të tarifave reciproke. Përjashtimi i vetëm është Kina. Në fakt, në Pekin detyrimet prej 145% do të zbatohen në përgjithësi. Dhe Pekini u përgjigj duke rritur kundërtarifat për mallrat amerikane nga 84 në 125%. Por, Trump mbetet optimist për një marrëveshje me Pekinin zyrtar.

Presidenti kinez, Xi Jinping u shpreh se kombi i tij “nuk ka frikë”. Në të parat komente publike mbi përshkallëzimin e luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara e që ka goditur tregjet ndërkombëtare dhe ka nxitur frikën e një recesioni global, Xi deklaroi:

Nuk ka fitues në një luftë tregtare dhe të shkosh kundër botës do të çojë vetëm në izolim.

Për më shumë se 70 vjet, zhvillimi i Kinës është mbështetur në vetëbesimin dhe punën e palodhur, asnjëherë në materialet e të tjerëve dhe nuk ka frikë nga ndonjë shtypje e padrejtë.

Pavarësisht se si ndryshon mjedisi i jashtëm, Kina do të mbetet e sigurt e do të qëndrojë e fokusuar dhe do të përqendrohet në menaxhimin e mirë të punëve të veta.