Bota

Trump: Tërhiqemi nga 66 organizata ndërkombëtare!

Presidenti amerikan, Donald Trump urdhëroi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 66 organizata ndërkombëtare duke thënë se ato “nuk u shërbejnë më interesave kombëtare të vendit”.

Një memorandum presidencial i nënshkruar nga Trump u drejtohet departamenteve dhe agjencive federale që të ndërpresin pjesëmarrjen dhe financimin për 31 entitete të Kombeve të Bashkuara dhe 35 organizatave jo-OKB “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se organizatat veprojnë në kundërshtim me interesat kombëtare të SHBA-ve, që kanë të bëjnë me sigurinë, prosperitetin ekonomik e sovranitetin.

Shumë nga organizatat e prekura janë aktive në fusha të tilla si politika e mjedisit dhe klimës ose barazia gjinore.

Presidenti Trump po i jep fund pjesëmarrjes së SHBA-ve në organizata ndërkombëtare që minojnë pavarësinë e Amerikës dhe shpërdorojnë paratë e taksapaguesve në axhenda joefektive ose armiqësore, theksoi Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shkroi në X se Uashingtoni po tërhiqej nga ato që ai i përshkroi si “organizata ndërkombëtare anti-amerikane, të padobishme ose shpërdoruese”.

Kryediplomati i Uashingtonit vuri në dukje se po vijon një shqyrtim i organizatave të tjera ndërkombëtare.

Që kur u rikthye në detyrë, Trump ka ndërmarrë hapa për ta nxjerrë Amerikën nga disa korniza ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe agjencinë kulturore të OKB-së, UNESCO.