Bota

Trump tërhiqet, por jo për Kinën, pezullon tarifat për 90 ditë!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpallur një pauzë 90-ditore për tarifat tregtare për më shumë se 75 vende, përfshirë shumë shtete të Evropës dhe Azisë.

Ky vendim ka të bëjë me një periudhë negocimi për çështje të tilla si barrierat tregtare, politikat monetare dhe tarifat jomonetare. Sidoqoftë, Trump ka përjashtuar Kinën nga kjo pauzë, duke rritur tarifat për produktet kineze në 125%, duke intensifikuar tensionet tashmë të larta mes dy vendeve.

Në një postim të tij në platformën sociale Truth Social, Trump shpjegoi se pauza për 75 vendet ishte një mundësi për të diskutuar dhe arritur marrëveshje, duke theksuar se ato kishin kërkuar një dialog me agjencitë amerikane, përfshirë Departamentin e Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë. Kjo periudhë e negocimit u vendos për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve ekonomike mes SHBA-së dhe këtyre shteteve.

“Bazuar në faktin se më shumë se 75 vende kanë thirrur përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Departamentet e Tregtisë, Thesarit dhe USTR, për të negociuar një zgjidhje për temat që diskutohen në lidhje me Tregtinë, Barrierat Tregtare, Tarifat, por nuk kanë marrë masa ndëshkuese ndaj SHBA-së, kam autorizuar një pauzë 90 ditore dhe një tarifë reciproke të ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10%“, tha Trump në një postim në Truth Social.

Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se do të rrisë tarifat ndaj Kinës në 125%, duke shtuar kështu përplasjet me Pekinin.

 “Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, rrisim tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%. Shpresojmë se në të ardhmen e afërt, Kina do të kuptojë se ditët e sulmimit të SHBA-së dhe vendeve të tjera, nuk janë më të pranueshme“, shkroi ai.