Bota

Trump, thirrje Ukrainës dhe Rusisë të zhvillojnë takim të nivelit të lartë!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje që Ukraina dhe Rusia të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë për të finalizuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes tyre. Kjo u theksua pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë. Trump tha ishte një “ditë e mirë” bisedimesh.

Një këshilltar i lartë i Kremlinit deklaroi se bisedimet ishin “frytdhënëse” dhe se Amerika e Rusia i kanë përafruar më shumë qëndrimet e tyre rreth Ukrainës dhe çështjeve të tjera.

Ata janë shumë afër një marrëveshjeje dhe palët duhet të takohen tani, në nivele shumë të larta, për ta përmbyllur.  Për shumicën e pikave kryesore është arritur pajtueshmëri. Ndaleni gjakderdhjen, TANI! Ne do të jemi kudo që është e nevojshme për të ndihmuar në LEHTËSIMIN e përfundimit të kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë!

Takimi i Witkoff-it me Putinin, i katërti që nga janari, u zhvillua ndërsa administrata e Trump po bën përpjekje të mëdha për të gjetur një zgjidhje për luftën 38-mujore të Rusisë kundër Ukrainës, përmes një propozimi për paqe që do të shënonte gjithashtu një ndryshim të madh në politikën amerikane: njohjen e e Gadishullit të Krimesë si pjesë të Rusisë.

Në një intervistë të publikuar të premten, Trump u shpreh:

Krimea do të mbetet me Rusinë dhe kërkoi nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ta nënshkruajë menjëherë një marrëveshje të vonuar prej kohësh që i jep SHBA-ve qasje në burimet minerale të Ukrainës.

Nuk është konfirmuar nëse Krimea apo ndonjë nga propozimet e tjera të paraqitura nga Uashingtoni u diskutuan në takim, megjithëse pritej të ishte një nga temat kryesore të diskutimit.

Fillimisht, Moska e pushtoi dhe më pas pretendoi se e aneksoi Krimenë në vitin 2014, mbi 11 vjet më parë. Përveç një numri të vogël vendesh, aneksimi nuk është njohur nga pjesa tjetër e botës. Që nga ajo kohë, politika amerikane, përfshirë edhe gjatë administratës së parë të Trump-it e ka kundërshtuar pretendimin rus mbi Krimenë.

Yuri Ushakov, këshilltari kryesor i Putinit për Politikën e Jashtme, e përshkroi takimin mes Putin-it dhe Witkoff-it si “konstruktiv” e “të dobishëm”.