Aktualitet Sport

Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë / Mbyllet Etapa e Parë, fiton italo-shqiptari Gabriele De Fabritis…

Është mbyllur Etapa e Parë e Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë, me fitues italo-shqiptarin Gabriele De Fabritis që përfaqëson vendin tonë. Etapa e Parë nisi në Bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë rreth orës 11:30 të kësaj të hëne dhe vijoi për në Rrëshen, Lezhë dhe më pas Shkodër.

Pas 151 kilometrave të përshkruara, në Parrucë vijën e finishit i pari e kaloi Gabriele De Fabritis. Pas garës ai foli shqip për mediet. Me nënë shqiptare dhe baba italian, Gabriele përfaqëson ngjyrat kuqezi.

“Faleminderit, kam fituar me sprint. Jam shumë i gëzuar. Jam rritur në Itali, babi është italian dhe mami shqiptare. Kam qenë këtu për pushime shumë herë. Gara e sotme ka qenë shumë e vështirë. Pretendimet? Po, dua të fitoj. Dedikim? Për të dy gjyshërit, shqiptar dhe italian që kanë ndërruar jetë”, tha Gabriele De Fabritis për mediat.

Ndërkohë që nesër (e martë 27 maj) Etapa e Dytë nis në Shkodër rreth orës 11:40 dhe përfundon në Elbasan rreth orës 16:00.

Në total Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë do ketë pesë Etapa dhe gjithçka do mbarojë të premten më 30 maj me itinerarin Vlorë – Fier. Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një prej garave më të vjetra në botë përbëhet nga 15 skuadra dhe 96 sportistë shqiptarë dhe nga bota.