Aktualitet

Turisti italian nxori thikën dhe terrorizoi pushuesit në Sarandë, u neutralizua nga policia!

Një situatë e rrezikshme u shmang në kohë në shëtitoren e qytetit bregdetar të Sarandës, falë ndërhyrjes së forcave të rendit. Një natë më parë, një i huaj, i identifikuar si shtetas italian, u pa duke lëvizur me një thikë në dorë në mesin e qytetarëve të shumtë.

Pamja e papërshtatshme dhe prania e një arme të ftohtë në një zonë të mbipopulluar krijuan shqetësim dhe panik mes kalimtarëve.  Forcat e policisë ndërhynë, duke e neutralizuar të huajin pa lëndime dhe pa shkaktuar incidente të mëtejshme.

Personi u shoqërua në Komisariatin e Policisë së Sarandës, për t’u marrë në pyetje dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nuk pati raportime për të lënduar.

I dyshuari Th.M., 32 vjeç, nga Perugia e Italisë, ndodhet me pushime në Sarandë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se ishte në gjendje të dehur dhe dyshohet se mund të ketë probleme të shëndetit mendor./Top Channel