Bota

U arrestuan dy prej grabitësve në Luvër, po bizhuteritë 88 milion euroshe?

Një gjurmë ADN-je “zhbllokoi” hetimet dhe çoi te autorët e grabitjes në Luvër të Parisit në Francë, çka rezultoi në arrestimin e dy prej tyre, të shtunën në mbrëmje. Njëri nga dy të dyshuarit u identifikua falë një gjurme ADN-je në vendin e grabitjes.

Që kur përfundoi “grabitja e shekullit”, policia mjeko-ligjore vazhdoi të kërkonte në zonë për çdo të dhënë të mundshme. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha se nga vendi i ngjarjes janë mbledhur më shumë se 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash e gjurmë të tjera.

Në muzeun e Luvrit, autorët lanë pas disa sende që mund të përmbajnë gjurmë, si një helmetë, radio dore, jelek të verdhë e prerëse metalesh.

Pas testeve të ADN-së, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua dhe më pas u arrestua. Dy të arrestuarit janë rreth 30 vjeç e vijnë nga Aubervilliers. Roli i tyre në grabitje nuk dihet ende, por konsiderohen “të dyshuarit kryesorë”.

Njëri nga dy të dyshuarit, i cili sipas gazetës franceze “Le Monde” ka shtetësi franceze dhe algjeriane, u arrestua në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle ndërsa po përgatitej të nisej për në Algjeri. Personi tjetër i arrestuar ka shtetësi franceze.

Policia franceze ishte vendosur në ndjekje të dy të rinjve për të shkuar në gjurmët e bizhuterive të vjedhura dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Megjithatë, operacioni u përshpejtua kur kuptuan se njëri prej të dyve kishte ndërmend të arratisej në Algjeri, madje edhe tjetri, në Mali.  Por, bizhuteritë me vlerë 88 milion euro ende nuk janë gjetur.