Humbja e parakohshme e Shpat Kasapit tronditi opinionin publik. Këngëtari ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare pas një arresti kardiak, teksa ndodhej në Itali, duke lënë pas djalin e tij të vogël, Roelin.
Por pas ndarjes së tij nga jeta, vëmendja në rrjetet sociale u zhvendos edhe te partnerja e tij, Selvija, e cila u përball me komente të ashpra dhe gjykime publike.
Situata solli reagime të forta nga familjarët e këngëtarit. Nëna e Shpat Kasapit doli publikisht në mbrojtje të nuses së saj, duke theksuar respektin dhe marrëdhënien e mirë që kishte pasur me të, si dhe duke kërkuar ndaljen e sulmeve.
Së fundmi, edhe halla e këngëtarit, Flora Kasapi, ka folur hapur për këtë çështje.
E ftuar në një emision së fundmi, ajo u shpreh se ndaj Selvijes është bërë një padrejtësi e madhe dhe se gjykimet publike janë të pabaza dhe të padrejta.
Le ta duam apo ta urrejmë si Shpatin, ashtu edhe Selvijen, kjo është çështje personale. Por duhet të kuptojmë një gjë: një njeri i ri, i bukur, i adhuruar nga të gjithë, humb jetën për tre sekonda. Çfarë mund të thuhet këtu? A duhet të shpjegohet një dhimbje e tillë?
-u shpreh ajo.
Flora Kasapi theksoi se askush nuk ka të drejtë të gjykojë partneren e Shpatit, pa e njohur dhe pa e ditur çfarë raporti kishin.
Nëse ai e ka zgjedhur për të dashurën e tij dhe për nënën e djalit të tij, si ka mundësi që një popull i tërë të flasë? Kush e njeh atë vajzë?
-shtoi ajo.
Ajo përmbylli deklaratën duke vlerësuar edhe qëndrimin e nënës së këngëtarit, e cila, sipas saj, ka vepruar drejt duke u përpjekur të mbyllë gojët e atyre që përhapin gjykime dhe komente dashakeqe, në një moment kaq të dhimbshëm për familjen.